Shtiu pesë herë me armë zjarri ndaj viktimës, aktakuzë ndaj të pandehurit
Valmira Saraçi|RTKlive
Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit B.A., për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri më 22 dhjetor të vitit të shkuar në lagjen “Jarina” të Pejës, me dashje dhe me armë zjarri, kishte tentuar ta privonte nga jeta të dëmtuarin U.F..
“I pandehuri me të parë viktimën shtënë në drejtim të tij pesë herë me armë të zjarrit, ku si pasojë viktima nga tri plumba pëson lëndim të rënda trupore”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, Prokuroria në Pejë thotë se i pandehuri B.A, akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas KPRK-së.
“Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprave penale të përshkruar si më lartë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë në Pejë rreth kësaj aktakuze.
Bëhet e ditur se prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallin fajtor dhe i njëjti të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cilat i vihen në barrë.























