Dy persona arrestohen për manipulim në testin e patentës në Mitrovicë Veri
BKT
Foto ilustruese / AI
Kronika

Dy persona arrestohen për manipulim në testin e patentës në Mitrovicë Veri

Gentiana Kelmendi/RTKlive

Dy persona janë arrestuar për dyshimin e manipulimit gjatë procesit të testimit për patentë shofer në Mitrovicë Veri.

Policia e Kosovës njofton se Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicë Veri, në bashkëpunim me Stacionin Policor Mitrovicë Veri, ka ndërmarrë veprime hetimore pas identifikimit të një rasti të dyshuar të manipulimit gjatë procesit të testimit për patentë shofer.

“Dyshohet se një person kishte tentuar të hyjë në testin me shkrim në emër të një kandidati tjetër,” thuhet në deklaratën e Policisë. Pas veprimeve policore, janë arrestuar të dyshuarit dhe janë sekuestruar prova materiale, përfshirë dy telefona celularë dhe 2,000 euro para të gatshme që ndërlidhen me rastin.

Me vendim të prokurorit kujdestar, “dy të dyshuar janë dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa një person tjetër është liruar në procedurë të rregullt.”

Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në luftimin e korrupsionit dhe veprimeve të kundërligjshme. 


MË SHUME NGA Kronika