Gjashtë të lënduar në një aksident trafiku në Skenderaj
BKT
Kronika

Gjashtë të lënduar në një aksident trafiku në Skenderaj

Bardh Bekteshi/RTK

Gjashtë persona janë dërguar në Spitalin e Mitrovicës për trajtim të plagëve si pasojë e një aksidenti në fshatin Rakinicë të Skenderajt.

Shpend Fazliu, zëdhënës i Spitalit të Përgjithshëm “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë ka thënë se të gjashtë personat kanë lëndime të lehta trupore.

“Rreth orës 15:45, në Shërbimin Emergjent të Spitalit të Përgjithshëm “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, ndihmë mjekësore kanë kërkuar 6 persona, si pasojë e aksidentit në trafik në një fshat të Skenderajt. Aktualisht, stafi po i kryen ekzaminimet e nevojshme dhe sipas vlerësimeve fillestare të lënduarit kanë lëndime të lehta trupore. Ekzaminimet Radiologjike janë duke vazhduar për të gjithë të lënduarit”, tha ai.

Për këtë aksident ka dhënë hollësi  zëdhënësi i Policisë në rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

Ai bëri me dije se sot, rreth orës 15:00, në rrugën rajonale Skenderaj- Klinë, në segmentin rrugor në fshatin Rakinicë, ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime.

Sipas Zahitit, në aksident janë përfshirë dy automjete, ku si pasojë e aksidentit  lëndime trupore kanë pësuar gjashtë persona.

"Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa njësitet përkatëse policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po hetojnë rrethanat e aksidentit”, ka thënë Zahiti.  


MË SHUME NGA Kronika