Parandalohet kontrabanda në Dubravë, kapet substancë e dyshuar narkotike
Kimete Kasumi| RTKlive
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se sot rreth orës 12:30, zyrtarët korrektues të Qendrës Korrektuese të Dubravës kanë parandaluar futjen e substancave të dyshuara narkotike brenda institucionit.
Sipas njoftimit, gjatë kontrollit rutinë të gjësendeve të sjella nga një vizitor, është zbuluar një sasi e dyshuar narkotike e kamufluar me kujdes në qese najloni, me peshë rreth 43 gramë.
Pas zbulimit, vizita është ndërprerë menjëherë, ndërsa vizitori është ndaluar në sallën e vizitave deri në ardhjen e autoriteteve.
Rasti i është dorëzuar Policia e Kosovës, e cila ka marrë në posedim substancën dhe ka nisur procedurat ligjore përkatëse.
"Shërbimi Korrektues i Kosovës do të vazhdojë zbatimin e masave të rrepta të kontrollit, me qëllim parandalimin e çdo tentative për futje të paligjshme të materialeve të ndaluara brenda institucioneve korrektuese", thuhet në njoftim.























