I plagosuri në rrugën B, zyrtar i IPK-së – rasti s’lidhet me detyrë zyrtare
Gentiana Kelmendi/RTKlive
Një person është plagosur pas të shtënave me armë zjarri që ndodhën sonte rreth orës 21:00 në rrugën “B” në Prishtinë, ndërsa tashmë është konfirmuar se i plagosuri është zyrtar i Inspektoratit Policor të Kosovës. Nga IPK-ja është theksuar se rasti nuk ka lidhje me detyrën e tij zyrtare.
Lajmin për RTKlive fillimisht e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti, e cila ka bërë të ditur se personi i plagosur është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa policia ka nisur hetimet dhe është në kërkim të personit të dyshuar, i cili tashmë është identifikuar.
Ndërkohë, zëdhënësi i Inspektoratit Policor të Kosovës ka konfirmuar se i plagosuri është zyrtar i IPK-së, duke sqaruar se incidenti nuk lidhet me detyrën e tij zyrtare.
“IPK ju konfirmon se në incidentin e raportuar sot rreth orës 21:00 në Rrugën ‘B’ në Prishtinë është plagosur një zyrtar i IPK-së. Incidenti nuk lidhet me detyrën e tij zyrtare. Aktualisht Policia dhe Prokuroria kanë filluar një hetim për zbardhjen e rastit, ndërkohë që janë në kërkim të personit të dyshuar i cili tashmë është identifikuar”, ka deklaruar Beka.























