Arrestohet një person për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh
BKT
Kronika

Arrestohet një person për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh

Gentiana Kelmendi/RTKlive

Policia e Kosovës ka arrestuar sot një person për dyshimin se ka kryer veprat penale “Mashtrim”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Legalizim i përmbajtjes së rreme”.

Sipas Policisë, i dyshuari, së bashku me persona të tjerë, dyshohet se kanë falsifikuar dokumente për të tjetërsojë në mënyrë të kundërligjshme një pronë prej shtatë hektarësh në Ferizaj, me vlerë rreth 3 milion euro, e cila më pas është parcelizuar dhe shitur personave të tretë.

Policia e Kosovës, përmes njësive të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), ka intervistuar sot personin B.L., (1990), në cilësinë e të dyshuarit. Gjatë bastisjes në lokacionin e dyshuar, janë gjetur dhe konfiskuar një telefon mobil dhe dokumente që lidhen me rastin. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Policia kujton se më 19 shkurt 2026, në lidhje me të njëjtin rast, kishte arrestuar dhe dërguar në mbajtje katër persona të tjerë, të dyshuar për kryerjen e veprave të njëjta në bashkëkryerje.

Policia e Kosovës thekson përkushtimin e saj në luftimin e veprave penale dhe garantimin e sundimit të ligjit.


MË SHUME NGA Kronika