`iPhone të fshehur në top`, parandalohet kontrabanda në Burgun e Mitrovicës
Emine Hoti/RTKlive
Sot rreth orës 13:10, në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë është parandaluar një tentim për kontrabandim të mjeteve të ndaluara, pas një bastisjeje të realizuar nga stafi i sigurisë i Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Sipas njoftimit, aksioni është zhvilluar bazuar në informacionet e Njësisë së Inteligjencës dhe në koordinim me Departamentin për Siguri të SHKK-së.
“Gjatë kontrollit në hapësirat e jashtme të institucionit, konkretisht në oborr, zyrtarët kanë identifikuar nëntë topa të mbetur nga aktivitetet sportive të të dënuarve. Pas verifikimit, brenda njërit top të dyshimtë janë gjetur dhe sekuestruar dy telefona mobil të modelit iPhone, dy kartela SIM, si dhe një kabllo mbushëse”, thuhet në njoftim.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të ditur se me këtë veprim është parandaluar futja e mjeteve të ndaluara në institucion.
Lidhur me rastin është njoftuar Policia e Kosovës, ndërsa janë iniciuar procedurat hetimore dhe disiplinore.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka theksuar se mbetet i përkushtuar në luftimin e veprimtarive të kundërligjshme dhe garantimin e sigurisë në institucionet korrektuese.























