Policia raporton për raste të ndryshme në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit
Sh.Çoçaj/RTKlive
Policia e Kosovës ka publikuar raportin 24-orësh, ku janë regjistruar një sërë incidentesh kriminale në disa rajone të vendit, përfshirë raste të dhunës në familje, posedim të substancave narkotike, armëmbajtje pa leje, vjedhje të rënda dhe një rast fataliteti në trafik.
Në Prishtinë dhe Obiliq janë raportuar dy raste të dhunës në familje, ku viktimat kanë pësuar kanosje dhe sulme fizike. Në të dy rastet, të dyshuarit janë arrestuar dhe më pas liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.
Në Fushë Kosovë, një person është arrestuar pasi dyshohet se ka sulmuar një tjetër pas një mosmarrëveshjeje, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Gjatë një kontrolli rutinor në Prishtinë, policia ka ndaluar një veturë dhe ka gjetur 3.61 gram substancë të dyshuar narkotike (marihuanë) nën ulësen e pasagjerit. I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt me urdhër të prokurorit.
Në Vërmicë është arrestuar një shtetas i Serbisë, i dyshuar për përfshirje në një rast të madh mashtrimi dhe falsifikimi dokumentesh. Sipas policisë, përmes dokumenteve të falsifikuara është kryer tjetërsimi dhe shitja e pronave, duke shkaktuar dëm financiar prej 1,578,180 euro. I dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në Kamenicë është raportuar një rast i rëndë ku një person është lënduar nga arma e zjarrit, ndërsa tre të dyshuar janë arrestuar.
Në Prizren dhe Leposaviq janë konfiskuar armë zjarri gjatë kontrolleve policore, ndërsa disa të dyshuar janë dërguar në mbajtje.
Në Istog dhe Pejë janë regjistruar raste të sulmeve ndaj zyrtarëve policorë, ku një polic ka pësuar lëndime trupore.
Në Ferizaj janë raportuar dy raste të vjedhjeve të rënda në banesa, ku janë marrë stoli ari dhe para të gatshme. Edhe në Klinë është raportuar hyrje me forcë në një shtëpi, ku janë vjedhur para, stoli dhe një armë me leje.
Në Shtërpcë është gjetur pa shenja jete një person, ndërsa në Pejë një viktimë e aksidentit rrugor ka ndërruar jetë në QKUK, më 10 maj 2026. Trupat janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Në Vushtrri është raportuar një incident me armë ku një predhë ka rënë afër një qytetareje, pa shkaktuar lëndime. Në Podujevë është ndaluar një shtetas i huaj për kalim ilegal të kufirit.























