Arrestohet në Gjakovë i kërkuari nga gjykata, dërgohet në burg për tre vjet
M.P. / RTKlive
Policia e Kosovës ka arrestuar në Gjakovë një person të kërkuar me urdhër-arrest të Gjykatës Themelore në Prishtinë për veprën penale "Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse".
Sipas policisë, arrestimi është realizuar nga Njësia për Ndërlidhje me Gjykatat në kuadër të Stacionit Policor në Gjakovë.
Pas përfundimit të procedurave policore, i arrestuari është dërguar në institucion korrektues për vuajtjen e dënimit me burgim prej tre vjetësh, ku përfshihet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në zbatimin e vendimeve të organeve të drejtësisë dhe realizimin e urdhër-arresteve, me qëllim forcimin e sundimit të ligjit dhe sigurisë publike.























