Ndalet i dyshuari për sulmin me thikë ndaj dy personave në Ferizaj
BKT
Foto: Driton Ramadani / RTK
Kronika

Ndalet i dyshuari për sulmin me thikë ndaj dy personave në Ferizaj

Medina Pasoma / RTKlive

(E plotësuar) Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka ndaluar për 24 orë një person të mitur, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Vrasja në tentativë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, rasti ka ndodhur mëngjesin e 10 korrikut, rreth orës 07:53, në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, në afërsi të Postës Qendrore në Ferizaj.

Bazuar në informacionet fillestare të hetimit, dyshohet se i mituri ka sulmuar me mjet të mprehtë, përkatësisht thikë, dy persona të tjerë.

Pas incidentit, i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes, por pas veprimeve hetimore të ndërmarra nga Policia e Kosovës, ai është lokalizuar dhe më pas është ndaluar me vendim të Prokurorit të Shtetit.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se do të vazhdojë me ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme ligjore lidhur me këtë rast.

Therr me thikë dy persona në Ferizaj, kërkohet i dyshuari

Sot ka ndodhur një incident, ku një person dyshohet se ka sulmuar dy persona me mjet të mprehtë në Ferizaj.

Rasti ka ndodhur në mëngjes rreth orës 07:50, në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, në afërsi të Postës Qendrore. Viktimat janë transportuar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Ferizajt, pasi kanë marrë ndihmën e parë në vendin e ngjarjes nga ekipet mjekësore, konfirmon zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

“I dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarrë veprime intensive hetimore për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, vazhdon Veseli.


MË SHUME NGA Kronika