Parandalohet tjetërsimi i dyshuar i 21 pronave në Mitrovicë
G.K/RTKlive
Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar se është parandaluar përfundimi i procedurave për sigurimin e dokumentacionit noterial, i cili dyshohet se kishte për qëllim tjetërsimin e kundërligjshëm të 21 pronave të paluajtshme.
Sipas njoftimit, ekziston dyshimi i bazuar se personat e përfshirë, përmes përdorimit të një dokumenti identifikues të falsifikuar dhe dokumentacionit tjetër përcjellës, kanë tentuar të sigurojnë përpilimin dhe vërtetimin e një autorizimi noterial për shitblerjen e 21 pronave të regjistruara në emër të një personi tjetër, pa dijeninë dhe vullnetin e pronarit legjitim.
Dokumenti i falsifikuar përmbante të dhënat personale të pronarit të pronave, ndërsa fotografinë e një personi tjetër, i cili dyshohet se ishte përgatitur të paraqitej para noterit me identitet të rremë dhe të nënshkruante autorizimin.
Veprimet e dyshuara janë parandaluar para përfundimit të aktit noterial, pasi gjatë verifikimit të dokumentacionit janë evidentuar mospërputhje në të dhënat identifikuese dhe është ngritur dyshimi për autenticitetin e dokumenteve.
Në kuadër të hetimeve janë arrestuar dhe intervistuar tre persona, të cilëve me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Po ashtu, janë sekuestruar dokumente, pajisje elektronike, një automjet dhe sende të tjera që mund të shërbejnë si prova në procedurën penale.
Gjatë kontrollit në pronën e njërit prej të dyshuarve janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të shumta pronësore, dokumente të gjendjes civile, kopje të dokumenteve të identifikimit, kontrata dhe dokumentacion tjetër në emër të personave të ndryshëm.
Prejardhja, autenticiteti dhe qëllimi i përdorimit të këtyre dokumenteve do të jenë objekt i hetimeve të mëtejshme.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe Policia e Kosovës kanë ritheksuar përkushtimin për hetimin e veprave penale kundër pasurisë, falsifikimit të dokumenteve dhe keqpërdorimit të procedurave administrative e noteriale, si dhe për mbrojtjen e pronës së qytetarëve.























