Tre të ndaluar për mashtrim me pronë, dyshohet për dëm prej 1.55 milionë €
G.K/RTKlive
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se, në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka ndaluar tre persona të dyshuar për mashtrim, falsifikim të dokumentit dhe legalizim të përmbajtjes së rreme.
Të dyshuarit me inicialet M.T., L.Sh. dhe M.R. dyshohet se kanë përdorur dokumente të falsifikuara të Republikës së Serbisë, përfshirë pasaportë, letërnjoftim dhe certifikata të gjendjes civile, për të krijuar identitet të rremë dhe për t’u paraqitur si pronarë legjitimë të një prone të paluajtshme në fshatin Sllatinë të Fushë Kosovës.
“Sipas dyshimeve të bazuara në fazën fillestare të hetimeve, të dyshuarit kanë krijuar në mënyrë të kundërligjshme identitet të rremë dhe janë paraqitur si pronarë legjitimë të një prone të paluajtshme”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas hetimeve të deritanishme, tre të dyshuarit, përmes dokumenteve të falsifikuara dhe identitetit të rremë, dyshohet se kanë shitur një parcelë me sipërfaqe prej dy hektarësh.
Prokuroria ka bërë të ditur se nga kjo shitje të dëmtuarit dyshohet se i është shkaktuar dëm material në vlerë prej 1 milion e 550 mijë eurosh.
“Prokurori i Shtetit, brenda afatit të paraparë ligjor, do t’i paraqesë gjykatës kompetente kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre personave të dyshuar”, thuhet më tej në njoftim.























