Arrestohet një person i dyshuar për lëndim trupor në Shtime
Sh.Ç/RTKlive
Policia ka arrestuar një person të dyshuar për një rast të lëndimit trupor, i cili ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në rrugën “Imer Devetaku” në Shtime.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, Stacioni Policor në Shtime ka pranuar një informatë për një përleshje fizike. Menjëherë pas pranimit të rastit, njësitë policore dhe hetuesit kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë shoqëruar në stacion personin e dyshuar M.A., 27 vjeç.
Personi i lënduar ka marrë fillimisht trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente në Shtime, ndërsa më pas është transferuar në Spitalin Rajonal të Ferizajt. Për shkak të natyrës së lëndimeve, ai është dërguar për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.
I dyshuari është intervistuar nga hetuesit policorë në prani të avokatit mbrojtës. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Rasti po vazhdon të hetohet nga sektori i hetimeve në Stacionin Policor në Shtime.























