Policia sekuestron gjashtë armë dhe mijëra fishekë, tre persona në mbajtje
BKT
Kronika

Policia sekuestron gjashtë armë dhe mijëra fishekë, tre persona në mbajtje

G.K/RTKlive

Gjashtë persona janë shoqëruar në polici dhe tre prej tyre janë ndaluar për 48 orë, pas një operacioni në rajonin e Prishtinës, ku janë konfiskuar gjashtë armë zjarri, 8 mijë e 919 fishekë, një shurdhues, 3 mijë e 470 euro dhe një automjet.

Policia e Kosovës ka njoftuar se njësitet e Departamentit për Kufi, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, kanë kontrolluar katër lokacione të ndryshme.

Operacioni është zhvilluar pas informatave të brendshme të trajtuara për një periudhë të gjatë dhe njoftimit nga Dogana e Kosovës për ndalimin e një automjeti të dyshuar me targa të Serbisë, ku ishte gjetur municion i kalibrit 9 mm, i fshehur në një bunker të improvizuar.

Gjatë kontrolleve janë konfiskuar gjashtë armë zjarri, prej tyre katër të shkurtra dhe dy të gjata, 8 mijë e 919 fishekë të kalibrave të ndryshëm, një shurdhues për armë, 3 mijë e 470 euro dhe një automjet.

Gjashtë personat e dyshuar janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa me vendim të prokurorit, tre prej tyre janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Policia ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Doganën e Kosovës do të vazhdojë angazhimin për parandalimin e veprimtarive kriminale, përfshirë trafikimin e armëve të zjarrit. 


MË SHUME NGA Kronika