Arrestohet një 65-vjeçar për kanosje me armë zjarri në Brezovicë
BKT
Kronika

Arrestohet një 65-vjeçar për kanosje me armë zjarri në Brezovicë

E.Hoti/RTKlive

Policia e Kosovës ka arrestuar një 65-vjeçar, si i dyshuar për kanosje me armë zjarri ndaj tre personave në Brezovicë, në afërsi të qendrës së skijimit.

Sipas Policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 16:30, pasi Stacioni Policor në Shtërpcë ka pranuar informacion për një incident në një shteg të ngushtë malor.

Hetimet fillestare tregojnë se tre persona, të cilët po lëviznin me kuajt e tyre, janë përballur me një person tjetër, i cili dyshohet se kishte lënë kalin e tij në rrugë dhe kishte refuzuar ta largonte për t'u mundësuar kalimin.

"Pas një mosmarrëveshjeje verbale, i dyshuari, N.H., 65 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, dyshohet se ka nxjerrë një armë zjarri, pistoletë, dhe i ka kanosur tre personat, duke përdorur njëkohësisht edhe fjalë fyese", thuhet në njoftim.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë, për hetime të mëtejshme.


MË SHUME NGA Kronika