Kapet i dyshuari për tri raste të vjedhjeve të rënda në Kaçanik
E.Hoti/RTKlive
Policia e Kosovës ka arrestuar një 21-vjeçar, i dyshuar për përfshirje në disa raste të vjedhjeve në Kaçanik.
Sipas Policisë, më 5 gusht në Stacionin Policor në Kaçanik janë raportuar dy raste, “Vjedhje e rëndë” dhe “Vjedhje e rëndë në tentativë”, të ndodhura në rrugën “Idriz Seferi”.
"Pas pranimit të informatave, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa hetuesit e stacionit policor në Kaçanik, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, analizimit të provave materiale dhe punës operative në terren, kanë arritur të identifikojnë personin e dyshuar me inicialet I.R., 21 vjeç", thuhet në njoftim.
I dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor në Kaçanik, ku gjatë intervistimit, në prani të avokatit mbrojtës, ka pranuar përfshirjen në dy rastet e raportuara më 5 gusht, si dhe në një rast tjetër të “Vjedhjes së rëndë”, të raportuar më 8 korrik 2026.
Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në konsultim me prokurorin e shtetit. Pas përfundimit të procedurave të nevojshme ligjore, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.























