Dy persona shoqërohen në polici pas vendosjes së flamujve në kishën e Lipjanit
BKT
Kronika

Dy persona shoqërohen në polici pas vendosjes së flamujve në kishën e Lipjanit

V. Th. / RTKLive

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka shoqëruar dy persona në lidhje me rastin e vendosjes së dy flamujve në rrethojën e kishës ortodokse në Lipjan.

Rasti është raportuar më 10 gusht, rreth orës 21:00, nga përgjegjësi/mbikëqyrësi i kishës, i cili ka deklaruar se në rrethojë janë vendosur dy flamuj, njëri me mbishkrimin “UÇK” dhe tjetri i Shqipërisë.

Pas marrjes së informacionit, njësitë relevante policore kanë ndërmarrë veprime dhe kanë identifikuar e shoqëruar në Stacionin Policor në Lipjan personin D.M. nga Komuna e Lipjanit. Sipas Policisë, ai është trajtuar nga Njësia e Hetimeve dhe ka rezultuar nën ndikim të alkoolit, me 0.61 promilë.

Në vazhdim të hetimeve, më 11 gusht është shoqëruar në stacionin policor edhe personi E.M., po ashtu nga Komuna e Lipjanit, ndaj të cilit kanë vazhduar procedurat policore.

Policia ka bërë të ditur se për rastin janë njoftuar prokurorët kujdestarë të Departamentit Special dhe të Përgjithshëm dhe, me udhëzimin e tyre, rasti është dërguar me Shënim Zyrtar.

Policia e Kosovës ka njoftuar gjithashtu se, në kuadër të Strategjisë së Integruar të Policisë së Drejtuar nga Inteligjenca dhe Policisë në Bashkësi, ka dosje të veçanta për çdo objekt të trashëgimisë kulturore fetare.

Sipas Policisë, 24 objekte të trashëgimisë kulturore sigurohen me prezencë policore 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, ndërsa për objektet e tjera siguria ofrohet përmes njësive patrulluese, sipas zonave të përgjegjësisë.


MË SHUME NGA Kronika