Aktakuzë ndaj tre personave për kontrabandimin e 10 migrantëve
E.Hoti/RTKlive
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, të dyshuar për kontrabandim me migrantë.
Sipas aktakuzës, S.D. dyshohet se ka organizuar kontrabandimin e 10 migrantëve, të gjithë shtetas të Egjiptit, ndërsa B.D. dhe A.F. akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer transportimin e tyre.
Rasti dyshohet të ketë ndodhur më 23 shtator 2025, në afërsi të vendkalimit kufitar të Vërmicës, konkretisht te ura e fshatit Shkozë.
Sipas Prokurorisë, migrantët kishin kaluar ilegalisht kufirin Kosovë-Shqipëri dhe po prisnin të transportoheshin më tej në drejtim të kufirit Kosovë-Serbi.
B.D. dhe A.F. ishin ndaluar nga policia, ndërsa S.D. ishte larguar nga vendi i ngjarjes pasi kishte vërejtur ndërhyrjen e zyrtarëve policorë.
“Sipas aktakuzës, 10 migrantët kishin paguar gjithsej 25 mijë euro për rrugëtimin nga vendi i origjinës deri në Serbi”, thuhet në njoftim.
Prokurori i rastit ka kërkuar nga gjykata që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.























