Kërkohet paraburgim për dy të dyshuar për rreth 5.5 kg narkotikë
G.K/RTKlive
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit ndaj F.D., shtetas i Republikës së Shqipërisë, dhe E.D., shtetas i Republikës së Kosovës, nën dyshimin për shitblerje të rreth 5.5 kilogramëve narkotikë dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas Prokurorisë, ndaj tyre ekziston dyshimi për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Mbajtja në pronësi ose kontroll i paautorizuar i armës”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, më 2 shtator 2026, gjatë veprimeve hetimore të Policisë së Kosovës – Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Ferizaj, është kontrolluar shtëpia e të pandehurit F.D. në Ferizaj.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar katër kavanoza qelqi me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë 4.929 gramë, substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë me peshë 4.6 gramë, një peshore digjitale, foli transparente për paketim, qese të zbrazëta transparente, një pistoletë me gaz me një karikator, pesë fishekë, para të gatshme në euro dhe lekë, një veturë e llojit “Passat” me targa të Shqipërisë dhe çelësi i saj, si dhe telefona, kartela SIM dhe sende të tjera materiale.
Ndërsa, gjatë kontrollit të bodrumit të një banese në rrugën “Beteja e Koshares” në Ferizaj, tek i pandehuri E.D. është gjetur dhe konfiskuar një sasi prej 566 gramësh substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.
Po ashtu, është konfiskuar edhe një kavanoz me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 21.7 gramë, sasi të tjera të së njëjtës substancë me peshë 0.49 gramë dhe 0.2 gramë, dy telefona celularë, kartelë bankare dhe para të gatshme.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi ose kontroll i paautorizuar i armës” nga neni 366, paragrafi 1 i KPRK-së.
Të pandehurit F.D. dhe E.D., që nga 2 shtatori 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit, gjenden nën masën e ndalimit 48-orësh për veprat penale të lartcekura.























