Në Prizren sekuestrohen tri armë zjarri dhe disa armë të ftohta
BKT
Kronika

Në Prizren sekuestrohen tri armë zjarri dhe disa armë të ftohta

G.K/RTKlive

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë kësaj jave, brenda tri ditëve, në katër raste të ndryshme në rajonin e Prizrenit janë sekuestruar dy pistoleta, një pushkë gjuetie, municion, dy shufra dhe katër thika.

Sipas Policisë së Kosovës, posedimi, mbajtja apo përdorimi i armëve dhe mjeteve të rrezikshme rrezikon sigurinë e qytetarëve dhe krijon pasiguri.

“Policia e Kosovës, konkretisht policia nga Rajoni i Prizrenit, po punon me përkushtim për gjetjen dhe sekuestrimin e armëve pa leje si dhe armëve të ftohta nga qytetarët”, thuhet në njoftim.

Më 12 shtator, në fshatin Lubizhdë të Hasit në Prizren, pas raportimit se në një gazmend familjar kishte pasur të shtëna me armë zjarri, policia ka intervenuar, ka arrestuar të dyshuarin dhe ka sekuestruar një pistoletë.

Një ditë më vonë, më 13 shtator, Policia nga Stacioni Policor i Suharekës ka intervenuar pas raportimit për një rrahje, ku tek një i dyshuar i mitur, 16-vjeçar, është gjetur dhe sekuestruar një thikë, me të cilën, sipas Policisë, ai kishte tentuar të godiste një tjetër të mitur.

Po më 13 shtator, pas informatave të marra përmes rrugëve operative dhe me autorizim të prokurorit, Stacioni Policor Prizren-Veri ka bastisur dy shtëpi të dy personave të mitur.

Tek njëri janë gjetur tri thika, dy shufra dhe dy grinder për narkotikë, ndërsa në shtëpinë e tjetrit është gjetur një pistoletë.

Ndërkaq, më 15 shtator, rreth orës 19:30, pas informatave për një sulm fizik, policia ka intervenuar në një lagje të Prizrenit.

Me autorizim të prokurorit është bastisur shtëpia e një personi të dyshuar, ku është gjetur një pushkë gjuetie pa leje dhe municion.

“Arma është sekuestruar dhe i dyshuari është ndaluar për 48 orë”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

Policia ka theksuar se do të vazhdojë punën për parandalimin e veprave penale dhe krijimin e një ambienti të sigurt për qytetarët.

“Posedimi, mbajtja apo përdorimi i armëve dhe mjeteve të rrezikshme është i ndaluar me ligj, andaj policia nuk do të tolerojë asnjë rast të kundërligjshëm”, thuhet në njoftim. 


MË SHUME NGA Kronika