Katër raste të armëmbajtjes pa leje, konfiskohen pistoleta e pushkë
M.Sh/RTKLive
Policia e Kosovës ka raportuar katër raste të armëmbajtjes pa leje në Podujevë, Prishtinë dhe Malishevë, gjatë të cilave janë arrestuar disa persona dhe janë sekuestruar armë zjarri, municion dhe mjete të tjera të dyshuara.
Në Podujevë, më 17 shtator rreth orës 20:52, është arrestuar një person i dyshuar, pasi dyshohet se gjatë një ahengu familjar kishte shtënë me armë zjarri. Gjatë intervenimit policor janë sekuestruar një pistoletë, një fishek dhe tri gëzhoja. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti është proceduar në procedurë të rregullt.
Një rast tjetër lidhet me një incident të raportuar më 5 korrik në rrugën “Jeronim De Rada” në Prishtinë. Sipas Policisë, më 17 shtator i dyshuari është paraqitur në stacion policor dhe ka dorëzuar pistoletën, të cilën dyshohet se e kishte përdorur gjatë incidentit. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në fshatin Ngucat të Malishevës, më 17 shtator rreth orës 10:55, policia ka arrestuar një person pasi gjatë kontrollit në shtëpinë e tij ka gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 12 fishekë. Pas konsultimit me prokurorin, i dyshuari është liruar pas intervistimit dhe rasti do të procedohet në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, në fshatin Senik të Malishevës, rreth orës 09:10, është arrestuar një person tjetër, pasi gjatë kontrollit në shtëpinë e tij policia ka gjetur dhe konfiskuar dy pushkë gjuetie, një pushkë ajrore, një pistoletë dhe një thikë me këllëf.
Edhe në këtë rast, pas konsultimit me prokurorin, i dyshuari është liruar pas intervistimit dhe rasti do të procedohet në procedurë të rregullt.
Policia nuk ka dhënë detaje shtesë për rrethanat e rasteve, ndërsa hetimet dhe procedurat përkatëse do të zhvillohen nga organet kompetente.























