Përleshje në Mitrovicë, dy persona lëndohen me mjet të mprehtë
G.K/RTKlive
Dy persona kanë pësuar lëndime, që dyshohet se janë shkaktuar nga një mjet i mprehtë, pas një përleshjeje të raportuar rreth orës 21:44 në Sheshin “Mehë Uka” në Mitrovicë.
Rastin për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti. Ai ka bërë të ditur se të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor, ndërsa një person i dyshuar është arrestuar.
“Rreth orës 21:44, është raportuar për një përleshje në Sheshin ‘Mehë Uka’ në Mitrovicë, ku dy persona të moshës madhore kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë Zahiti.
Sipas informatave të para, lëndimet dyshohet se janë shkaktuar nga një mjet i mprehtë.
“Policia ka identifikuar dhe arrestuar një person të dyshuar. Hetuesit policorë janë duke vazhduar me veprime hetimore”, ka bërë të ditur Zahiti.























