11:42 / 24.09.2026
22-vjeçari gjobitet 500 euro për veprime të rrezikshme në trafik
K. K. / RTKlive
Një 22-vjeçar është ndëshkuar nga Policia në Shtime për kundërvajtje në trafik, pasi ishte kapur duke drejtuar një motoçikletë pa poseduar kategorinë përkatëse të patentë-shoferit.
Rasti ka ndodhur më 23 shtator në rrugën “Komandant Kumanova” në Shtime, ku zyrtarët policorë kanë identifikuar dhe ndaluar drejtuesin e motoçikletës së markës Yamaha, me inicialet A.H.
"I dyshuari A.H., 22 vjeç, duke drejtuar një motoçikletë të markës Yamaha, ka kryer veprime të rrezikshme në rrugën “Komandant Kumanova” në Shtime", thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 500 eurosh, 3 pikë negative, si dhe masa mbrojtëse ndalimi i drejtimit të mjeteve për tre muaj.























