Arrestohet një person në Rahovec, dyshohet se mori ryshfet nga pronarë biznesesh
BKT
Kronika

Arrestohet një person në Rahovec, dyshohet se mori ryshfet nga pronarë biznesesh

V. Th. / RTKLive

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “marrja e ryshfetit”, pas hetimeve lidhur me pretendimet se ai kishte kërkuar dhe pranuar para nga pronarë të bizneseve në zonën e Rahovecit.

Sipas Policisë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjakovë kishte pranuar informacione operative se i dyshuari, në periudha dhe lokacione të ndryshme, u kishte kërkuar pronarëve të bizneseve shuma parash në këmbim të moskryerjes së kontrolleve apo shmangies së ndëshkimeve të parapara me ligj.

Informacionet janë trajtuar në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, ndërsa gjatë hetimeve, sipas Policisë, janë siguruar dëshmi se i dyshuari kishte pranuar ryshfet në shuma prej 300 deri në 500 euro, në disa raste dhe nga persona të ndryshëm.

Policia thotë se veprimet e dyshuara përbëjnë veprën penale “marrja e ryshfetit”, sipas nenit 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Më 24 shtator, me urdhër të Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe në koordinim me prokurorin përgjegjës, është kontrolluar ambienti i punës dhe automjetet që i dyshuari kishte në shfrytëzim.

Pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë. Gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një telefon celular.


MË SHUME NGA Kronika