Policia në Gjilan shqipton 1 mijë e 764 gjoba gjatë një jave
Sh.G|RTKlive
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka njoftuar se, gjatë periudhës 25 shtator – 1 tetor 2026, në kuadër të planeve operative për rritjen e sigurisë në trafikun rrugor, janë shqiptuar gjithsej 1 mijë e 764 gjoba.
Sipas Policisë së Kosovës, gjatë kësaj periudhe janë hetuar 16 aksidente trafiku me dëme materiale dhe 19 aksidente me persona të lënduar.
Në kuadër të aktiviteteve për sigurinë në trafik, policia ka shqiptuar 63 gjoba për përdorim të telefonit gjatë ngasjes dhe 74 gjoba për mosvendosje të rripit të sigurisë.
Po ashtu, ndaj 51 ngasësve është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të mos ndalojnë apo parkojnë në trotuare.
Sipas policisë, trotuaret janë të dedikuara për këmbësorët, veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit, ndërsa parkimi i automjeteve në këto hapësira mund të rrezikojë sigurinë e tyre.























