Të shtëna me armë zjarri në Korishë, arrestohet 33-vjeçari
BKT
Kronika

Të shtëna me armë zjarri në Korishë, arrestohet 33-vjeçari

Nora Gjuzi|RTK

Një person është arrestuar në fshatin Korishë të Prizrenit, pasi dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një bashkëfshatari të tij.

Sipas informatave fillestare të Policisë, i dyshuari, rreth 33 vjeç, dyshohet se ka përdorur armë zjarri ndaj një 31-vjeçari. Si pasojë e të shtënave, viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe është dërguar në Emergjencë për trajtim mjekësor. Gjendja e tij shëndetësore raportohet të jetë jashtë rrezikut për jetë.

Lidhur me rastin ka folur togeri Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Prizrenit.

“Reagimi i shpejtë i njësive policore ka mundësuar arrestimin e të dyshuarit në vendngjarje. Nga i dyshuari janë sekuestruar arma e zjarrit dhe municioni, të dyshuara se janë përdorur në rast”, ka deklaruar Bytyqi.

Pas intervistimit, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Policia, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorin e Shtetit, ka nisur hetimet për rastin, i cili është cilësuar si “Vrasje në tentativë”.

Njësitë përkatëse policore po ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit dhe dokumentimit të plotë të rrethanave që kanë çuar deri te incidenti.


MË SHUME NGA Kronika