Aktakuzë ndaj dy personave për përvetësim në detyrë
Sh.Ç/RTKlive
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, R.N. dhe H.D., nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, rasti është hetuar nga Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, ndërsa dy të pandehurit dyshohet se veprën penale e kanë kryer gjatë kohës sa kanë qenë të angazhuar si rojtarë në Agjencinë Pyjore të Kosovës, në Njësinë Pyjore Blinaj në Lipjan.
Sipas aktakuzës, R.N., gjatë periudhës 2022–2026, në cilësinë e personit zyrtar, dyshohet se ka përvetësuar një armë zyrtare të gjahut, e cila i ishte besuar për shkak të detyrës.
Prokuroria ka bërë të ditur se pas përfundimit të detyrës zyrtare me rastin e pensionimit, R.N. “nuk e ka kthyer apo dorëzuar armën zyrtare të gjahut”, të modelit “Over/Under”, e cila ishte pronë e Agjencisë Pyjore të Kosovës.
Sipas aktakuzës, ai dyshohet se veprimet i ka ndërmarrë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për person tjetër.
Ndërkaq, H.D. dyshohet se gjatë periudhës 2019–2026, në cilësinë e rojtarit në Agjencinë Pyjore të Kosovës, pas përfundimit të detyrës me rastin e shkarkimit nga puna, nuk e ka dorëzuar armën zyrtare të gjahut të modelit “Pump Action Shotgun”.
“Me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, dyshohet se ka përvetësuar pasurinë e cila i është besuar për shkak të detyrës apo pozitës së tij”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas aktakuzës, me këto veprime H.D. dyshohet se i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm material Agjencisë Pyjore të Kosovës.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, si dhe administrimit dhe vlerësimit të provave, të dy të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Të dy personat gëzojnë prezumimin e pafajësisë dhe konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës.























