Katër të mitur arrestohen në Vushtrri, dyshohen për vjedhje
BKT
Kronika

Katër të mitur arrestohen në Vushtrri, dyshohen për vjedhje

E.Hoti/RTKlive

Katër persona të mitur janë arrestuar në Vushtrri, nën dyshimin për përfshirje në disa raste të vjedhjes dhe tentim-vjedhjes.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar pasditen e 2 tetorit, pasi disa persona të dyshuar kanë vjedhur një shumë parash në një market dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes me motoçikleta.

Pas veprimeve të shpejta operative dhe hetimore, policia ka arritur t’i ndalojë katër të dyshuarit në dy lokacione të ndryshme. Dy prej tyre janë arrestuar në fshatin Pestovë, ndërsa dy të tjerët në fshatin Gracë të Vushtrrisë, në koordinim me njësitet policore të Obiliqit.

Hetimet kanë zbuluar dyshime se të miturit fillimisht kanë vjedhur një motoçikletë në Vushtrri, më pas kanë tentuar të kryejnë vjedhje në një market, ndërsa rreth orës 16:00 kanë vjedhur para në një market tjetër.

"Si prova materiale janë sekuestruar motoçikleta dhe paratë e vjedhura, të cilat, pas përfundimit të procedurave do t’u kthehen pronarëve legjitimë", ka njoftuar Policia.

Me vendim të organeve kompetente, pas konsultimit me Prokurorin për të Mitur dhe zyrtarët e Qendrës për Punë Sociale, të katër të miturit janë liruar, duke marrë parasysh moshën e tyre.

Ndërkohë, hetimet për rastet e vjedhjes dhe tentim-vjedhjes janë duke vazhduar për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe për të identifikuar përfshirjen e mundshme të personave të tjerë.


MË SHUME NGA Kronika