Nis Eurovision 2023, Shqipëria pritet të performojë në natën e dytë
Sh.Gashi / RTKlive
Sonte nga ora 21 nis Eurovision 2023, festivali më i madh i këngës në Europë. Festivali do të mbahet në Liverpool Arena, në Mbretërinë e Bashkuar, ku Shqipëria do të performojë në natën e dytë gjysmëfinale më 11 maj.
Ndërsa sonte do të përformojë edhe këngëtarja shqiptare me famë botërore Rita Ora, si e ftuar speciale.
Radio Televizioni i Kosovës këtë vit do të organizojë për herë të parë edhe Festivalin e Këngës, përmes së cilit, mes tjerash, synon që në të ardhmen Kosova të përfaqësohet edhe në Evrovizion. E deri atëherë artistët nga Kosova Evrovizionin kanë arritur ta prekin vetëm duke përfaqësuar Shqipërinë.
Pas përfaqësimit që i bëri Rona Nishliu Shqipërisë në vitin 2012, duke e dërguar Shqipërinë në finale dhe duke siguruar vendin e 5-të, këtë vit sërish Shqipëria do të përfaqësohet nga këngëtarja nga Kosova, Albina Kelmendi, e cila së bashku me familjen e saj do të performojnë këngën "Duje".
RTK do ta transmetojë këtë festival për tri ditë më radhë , dy netët gjysmëfinale do të mbahen më 9 dhe 11 maj, ndërsa më 13 maj do të jetë finalja e madhe. Këtë vit është e rëndësishme të ceket që mund të votohet edhe nga Kosova pas çdo përfundimi të këngës por vetëm online.