Kurti viziton ekspozitën “Masnesër” të artistit Taulant Qerkini në Prishtinë
RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot ekspozitën “Masnesër” të artistit Taulant Qerkini – TAK, në Galerinë e Arteve të Prishtinës.
Në një postim në Facebook, Kurti ka vlerësuar krijimtarinë e artistit, i cili ndërthur motivet e trashëgimisë kulturore shqiptare me artin bashkëkohor.
Ai ka theksuar se përmes një hulumtimi dhe pune krijuese dhjetëvjeçare, Qerkini u jep dimensione të reja motiveve, ornamenteve dhe simboleve të trashëgimisë kulturore.
"Përmes një hulumtimi dhe pune krijuese dhjetëvjeçare, Taulanti u jep dimensione të reja motiveve, ornamenteve dhe simboleve të trashëgimisë sonë kulturore, duke i shndërruar ato në vepra të artit bashkëkohor. Aty gjejmë ndërthurje të estetikës konstruktiviste me lojëra perceptimi që na kujtojnë botën grafike të M.C. Escher-it, transformime ritmike të formave dhe një marrëdhënie delikate ndërmjet nuancës së ngjyrës me dritën e hijen, si dhe siluetën e thepisur të shqiponjës dykrenare porsi një vulë universale", tha Kurti.
Kurti ka përgëzuar artistin për ekspozitën, duke i uruar suksese në hulumtimet dhe krijimtarinë e mëtejshme artistike. Ekspozita është kuruar nga artisti holandez Z.E.D.Z.






















